Wednesday, 6 December 2006

Prof. Ligj. Besa Luzha (Albanian), advocacy

Besa Luzha University of Prishtina, Faculty of Arts Music Department Kosovo Unë jam një edukatore e muzikës e re dhe vij nga Kosova, një vend i vogël në Evropë i cili njihet përmes ngjarjeve te fundit dhe konfliktit te tmerrshëm që ndodhi ne vitet 1998-99. Që nga qershori 1999 kur forcat ndërkombëtare të NATO-s intervenuan dhe sollën paqen në Kosovë, jeta është normalizuar dhe tanimë 4 vite pas të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Kosovarëve janë drejtuar drejt plotësimit të standardeve të nevojshme për tu integruar në Bashkësinë Evropiane. Ka mjaft punë deri në këtë integrim dhe tanimë shumë procese kanë filluar. Reforma të domosdoshme në të gjitha fushat e veprimtarisë janë paraqitur si të domosdoshme në mënyrë që Kosova të zhvillohet në një vend me standarde evropiane. Njëra ndër to është edhe Reforma e Procesit edukativ –arsimor në të gjitha nivelet. Unë personalisht jam përgjegjëse për koordinimin e punës së grupit të ekspertëve per ndryshimin dhe zhvillimin e kurrikulit mësimor për lëndën Edukatë Muzikore në të gjitha nivelet K-12. Në kuadër të këtij procesi shpeshhere jam pyetur nga kolegët e lëndëve të tjera “pse mendoni që muzika është aq e rëndësishme…?”. Dhe me të vërtetë jam preokupuar edhe vetë me këtë pyetje aq sa edhe me habinë pse kemi nevojë të argumentojmë aq shumë për rëndësinë e muzikës kur ajo është një gjë aq e qartë dhe e dukshme. Megjithatë, në këtë shkrim unë nuk do ti rrekem argumentimit shkencor mbi rëndësinë e muzikës duke e kundruar atë që nga teoria e intelegjencave të shumëfishta dhe beneficionet që sjell muzika për aftësitë kognitive dhe procest e ndryshme psikofizike deri te tek ndikimi I provuar( nga hulumtimet e shumta të deritanishme) në rritjen e rezultateve të testeve të përgjithshme shkollore. Unë dua të flas për një aspekt tjetër të kundrimit të muzikës , për muzikën si dicka magjepsëse dhe hyjnore duke evokuar kështu edhe mendimet e largëta të Platonit e bashkëkohësve të tij mbi të menduarit se “Muzika I ben njerëzit me të mirë” ose duke cituar edhe Shpenhaurin I cili thoshte se “Muzika është banjë e shpirtit…” Fuqia e muzikës që të depërtojë thellë në shpirtin tonë dhe të nxitë reagime të llojllojshme ndjenjash dhe emocionesh me ate rast është ajo që unë dua ta theksoj si më të rëndësishmen e muzikës. Në popullin tim muzika zen nje vend jashtëzakonisht të rëndësishëm . Thuajse cdo moment I jetës është I shoqëruar dhe I pershkuar me muzikë-lindja, gëzimi, martesa e bile edhe vdekja ( ne popullin tim me rastin e vdekjes sipas disa traditave te lashta bëhet vajtimi I të vdekurit duke kënduar me një melodi ta caktuar duke I radhitur virtytet e të vdekurit dhe duke përshkuar dhimbjen që përjetojne anëtarët e familjes”). Në kohët më të vështira kur ndodhi konflikti dhe lufta e temrrshme u krijuan këngë që flsinin për lirinë dhe të ardhmen dhe kështu njerëzit merrnin forcë për të vazhduar jetën . Për dhjetë vite me radhë nen pushtetin represiv që administronte Kosovën shqiptarëve –banorë shumicë të Kosovës- iu kishte ndaluar që te shfrytëzonin sallën e vetme koncertale në Prishtinë për të organizuar dhe mbajtur koncerte ndonëse deri më atëherë kishte vepruar orkestri simfonik i Prishtinës dhe jeta muzikore ishte relativisht e pasur. Në vitin 1999, në nëntor pas vendosjes së paqes unë me kolegët e mij muzikantë I hymë një iniciative të madhe për të organizuar një koncert të madh të muzikës klasike që do të mbahej në sallën koncertale pas 10 vitesh. Ndoshta mund të duket e çuditshme organizimi i një koncerti në rrethana të sotme, por po flasim për një gjendje pas lufte ku njerëzit ende kërkonin familjarët e varrosur nëpër varre masive dhe të zhdukurit që s’mund ti gjenin dhe per një situatë ku shumë qytete përreth e edhe vetë Prishtina ishte e shkatërruar dhe e demoluar nga lufta e tmerrshme. Megjithate, ne u perpoqëm dhe ia dolëm. Në një ditë nëntori të ftohtë ( më 28 nëntor 1999) ku temperature Brenda në sallë ishte 10 grade celcius, më se 600 njerëz kishin mbushur “sallën e kuqe “ koncertale te Prishtinës ku muzikonin muzikantë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe mysafirë instrumentistë nga Gjermania, SHBA dhe Italia. Në program ishin vepra per orkestër harkorë nga Bachu, Hajdn, Samuel Barber- e Aaron Koplandit etj., e edhe vepra të kompozitorëve Shqiptarë. Ndonëse në sallë ishte ftohtë dhe njerëzit ishin ende të pikëlluar e të traumatizuar nga konflikti zemrat e tyre u ngrohën nga tingujt magjepsës të muzikës. Edhe publiku përbëhej nga njerëz të shtresave të ndryshme që flasin gjuhë të ndryshme. Por atë natë muzika u fliste atyre me një gjuhë, gjuhën e saj të vetme dhe forca e saj depërtoi thellë në shpirtërat e të gjithë njerëzve njësoj duke I emocionuar ata. Ajo iu dha shpresëdhe kurajo vendorëve për të harruar dhimbjen dhe për të vazhduar jetën kurse iu tregoi mysafirëve që kishin ardhur të punonin në Kosovë për karakterin dhe forcën e këtij populli dhe për dëshirat e tij që të jenë pjese e Evropës së qytetëruar me gjithë ndryshimet që posedojnë. Kështu Muzika vendosi në ato çaste ura lidhëse mes njerëzve të ndryshëm. Kur koncerti kishte perfunduar dhe njerëzit ishin ngritur në këmbë duke duartrokitur, ndodhi dicka e pashpjegueshme. Gati të gjithë duartrokitnin me lot në sy. Kjo vërehej sidomos tek Kosovarët të rinj e të vjetër që ishin mbërthyer nga emocionet dhe i ishin dorëzuar tërësisht ndikimit të muzikës. Këtë përjetim nuk do ta harroj kurrë dhe mendoj se pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme Muzika. Ajo na bën të ndihemi në radhë të parë-njerëz me trup dhe me shpirt. Ajo na pasuron jetën dhe na ngjall ndjenja dhe emocione. Sot kur po ballafaqohemi me avokime në të mirë të muzikës për të shpjeguar pse duhet të jetë muzika e pranishme në shkollë, ndoshta mund tu themi shumë thjesht dhe sinqerisht –sepse shkollat tona duhet te edukojnë dhe të arsimojnë në radhe të parë njerwz tw ndieshwm dhe te kulturuar. E muzika ka mundësi të bëjë këtë. Prandaj le ti japim shansin. Prof. Ligj. Besa Luzha Universiteti I Prishtinës-Fakulteti I Muzikës Departamenti I Pedagogjisë Muzikore

No comments:

Post a Comment